Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e SPAK për vendosjen e sekuestrove preventive për 4 apartamente të cilat me herët kanë qenë në pronësi të ish-ministrit Arben Ahmetaj, por që dyshohet se janë shitur në mënyrë fiktive të persona të tjerë.
SPAK dyshon se 4 banesat janë përfituar në mënyrë të paligjshme nga ish-ministri. Prej orëve të para të ditës së sotme ekspertë të Byrosë Kombëtare të Hetimit zbarkuan në disa drejtime në Gjirin e Lalzit dhe në Tiranë për të kontrolluar banesat e ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, partneres aktuale, ish-gruas dhe familjarëve.
Gjyqtari Erion Bani që mori në dorën prej pasdites së të premtes kërkesën e SPAK për ish-zv/kryeministrin i cili është në hetim për korrupsion pasiv në 6 raste, fshehje pasurie dhe pastrim të produkteve të veprës penale ende nuk dihet nëse ka firmosur arrestimin e tij.
Fakti që ka kontroll banesash do të thotë se një vendim është marrë, por a është pranuar kërkesa për arrestimin e tij? Heshtje nga SPAK-u. Për dosjen e ish-ministrit me tre akuza të forta janë marrë në pyetje mbi 90 persona në muajt e fundit që janë kryer hetime intensive.