Rreth 127 milionë USD është fatura e paguar nga buxheti i shtetit për 8 vitet e fundit (periudha 2015-2022) për dëmshpërblimin e të larguarve pa të drejtë nga administrata qendrore dhe vendore.
Bëhet fjalë për punonjës të qeverisjes qendrore dhe vendore, të cilët janë larguar padrejtësisht nga puna, por pas vendimeve të formës së prerë të gjykatës kanë përfituar dëmshpërblimin.
Shpenzimet për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore për largimet nga puna, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në përgjigje të kërkesës për informacion nga “Monitor” për vitet 2015 deri në 2022 nga qeverisja e përgjithshme arrijnë në vlerën e 12 miliardë lekëve (rreth 127 milionë USD).
Vlera më e lartë e dëmshpërblimeve nga qeverisja e përgjithshme është paguar në vitin 2015 përkatësisht me vlerë 1,7 miliardë lekë dhe në 2017 janë paguar 1,8 miliardë lekë për ekzekutimin e vendimeve për të larguarit nga puna.
Juristët parashikojnë shtim të dëmshpërblimeve për të larguarit nga puna, për shkak të precedentit që është shënuar me vendimin e muajit shkurt 2022 nga Gjykata e Strasburgut.
Kontrolli i Lartë i Shtetit në raportin e përformancës për vitin 2022 verën se nga 428 ankesa të depozituara pranë këtij institucioni nga qytetarët, 365 të tyre kanë të lidhura kryesisht me çështjen e regjistrimit të pronave, të prokurimit publik, largimeve nga puna, etj.
Ndër të tjera, edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) thekson se fatura financiare nga shpenzimet për vendimet e formës së prerë për largimet e padrejta nga puna në 3 institucione shtetërore, si: Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MAS), “Alpetrol” dhe KESh janë rreth 3,2 milionë euro.