Hapat për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës – rajon i banuar me shumicë serbe – janë ata që negociatorët kryesorë të Prishtinës dhe Beogradit duhet t’i diskutojnë në një takim në Bruksel, më 19 korrik.
Nga Bashkimi Evropian kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë edhe takimin, edhe pjesëmarrjen e të dy kryenegociatorëve, Besnik Bislimit nga Kosova dhe Petar Petkoviqit nga Serbia.
Të hënën, derisa disa udhëheqës të Ballkanit Perëndimor janë takuar në Tiranë me komisionarin e BE-së për zgjerim, Oliver Varheyli, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qenë në ishullin grek të Kretës, për një konferencë mbi Ballkanin Perëndimor.
Atje, ai është takuar me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ndërsa në llogarinë e tij në Twitter ka shkruar se “moti ka qenë më i ngrohtë sesa biseda e tyre”.
Qëndrimi i Kurtit për çështjen e veriut të Kosovës dhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe e ka distancuar atë nga partnerët e tij evropianë, por Qeveria e tij përsërit se “Kosova do ta përmbushë atë për të cilën është pajtuar” dhe se “do të vazhdojë të jetë konstruktive në takimin e radhës në kuadër të dialogut”.
Kështu thuhet në përgjigjen që Radio Evropa e Lirë ka marrë nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës të hënën.(lexo ketu lajmin e plote).