E fortë. Zyra e delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë konfirmoi për “5Pyetjet.al” se ka njoftuar qeverinë se ka pezulluar grantet për bujqësinë nga programi “IPARD” për Shqipërinë për shkak të korrupsionit dhe mos respektimit të procedurave ligjore nga AZHBR (Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural) në shpërndarjen e tyre.
E kontaktuar nga “5Pyetjet.al” zyra që përfaqëson Brukselin në Tiranë tha se kjo është një masë parandaluese për të mbrojtur fondet e BE-së. Rreziku është që jo vetëm që të humben fondet e “IPARD II”, por edhe të “IPARD III”.
“Komisioni Evropian ka informuar qeverinë shqiptare se ka marrë masa paraprake bazuar në informacionin fillestar të dhënë nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit [OLAF], pas një hetimi mbi akuzat për korrupsion në lidhje me zbatimin e programit IPARD II. Si masë parandaluese për mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Europian, Komisioni Europian ka ndërprerë përkohësisht rimbursimet ndaj autoriteteve shqiptare për shpenzimet e kryera në kuadër të programit IPARD II.
Komisioni Evropian nuk mund të komentojë mbi asnjë gjetje të mundshme të OLAF-it për zbatimin e programit IPARD II (2014-2020) në Shqipëri. Hetimi i OLAF-it vazhdon. Kur OLAF të dorëzojë raportin përfundimtar, Komisioni Evropian do të informojë autoritetet shqiptare dhe, bazuar në gjetjet e raportit, do të marrë çdo masë të mëtejshme të nevojshme për të mbrojtur interesat financiare të Bashkimit Evropian” deklaroi delegacioni i BE-së në Tiranë për “5Pyetjet.al”.
Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit ka nisur një hetim të gjerë për fondet që ka dhënë për Shqipërinë se ku kanë përfunduar. Dyshimet janë të forta dhe për këtë arsye janë pezulluar fondet. Vendimi vjen në një moment kur qeveria shqiptare dhe Edi Rama njoftoi pak ditë më parë se po hartohet një projekt që parashikon fonde për Ballkanin Perëndimor.