Duke përdorur një klauzolë të rregullores së Kuvendit, ¼ e anëtarëve të komisionit kërkuan mbledhjen e Komisionit, pa vullnetin e kryetares Flutura Açka.
Mbledhja u drejtua nga nënkryetari socialist Petro Koçi, i cili është dhe nismëtar i ndryshimeve, dhe me pjesëmarrjen e 10 deputetëve nga të cilët 2 deputetë abstenuan, projektligji u miratua për 4 minuta.
Kryetarja Açka në një reagim publik e quajti një akt antiligjor dhe një “puç në Parlament për të zgjatur mandatin e Skënder Gjinushit”.
Açka e cilësoi mbledhjen “ilegale” dhe në kundërshtim të plotë me Rregulloren e Parlamentit, pasi sipas saj, të gjithë komisionet parlamentare e kanë mbyllur sesionin e punës së tyre dhe kanë dorëzuar 48 orë para të gjitha vendimet për seancën e fundit plenare të së enjtes.
Ajo akuzoi nismëtarët e projektligjit se kishin ndërmarrë këtë hap të ngutshëm pikërisht në ditën që i mbaronte mandati i kryetarit Gjinushit, vetëm me synim zgjatjen e mandatit të tij.
Açka u bëri thirrje kolegëve deputetë të PS-së, që siç tha ajo, -“janë nën presionin e vazhdueshëm të ethes Gjinushiane që komisioni po kalon prej muajsh, të mos bien pre e akteve joinstitucionale dhe të ngrihen në përgjegjësinë e respektimit të ligjit, për të cilin janë betuar”.
Koçi tha se mbledhja ishte konform rregullores dhe me kërkesë të ¼ së deputetëve.Mbledhja e njëanshme erdhi pasi dështoi miratimi i këtij projektligji gjatë diskutimit në komision.
Kryetarja Açka, deputetët e opozitës por dhe disa deputetë të PS-së konstatuan se projektligji nuk mund të kalonte pa marrë mendimin e Këshillit të Ministrave, por nismëtarët së bashku me Gjinushi kundërshtuan për të mos humbur kohë në procedurë. /BIRN
Flutura Açka: Puç në Parlament për të zgjatur mandatin e Gjinushit