Situata e sigurisë në veriun e Kosovës vazhdon të jetë e tensionuar, por pavarësisht kësaj, Policia e Kosovës me përkushtim e profesionalizëm është duke i kryer detyrat e saj ligjore për të siguruar rend e ligj.
Kështu ka deklaruar në RTK drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, i cili gjithashtu i përshkroi në detaje protestat e dhunshme të qytetarëve serbë në veri.
“Situata në veri të Kosovës dallon nga pjesa tjetër e Kosovës për shkak të specifikave dhe grupeve kriminale që veprojnë që një kohë të gjatë. Edhe menaxhimi nuk është fare i lehtë, por falë policëve tanë, kemi fituar një betejë të gjatë që po zhvillohet atje. Kemi arritur në njëfarë forme të garantojmë siguri për qytetarët e po ashtu të kemi prezencë të policëve tanë rreth kufirit të Kosovës me Serbinë”, tha Hoxha.
“Roli dhe detyrat e Policisë së Kosovës dhe KFOR-it kanë qenë të ndara. A ka pasur rrezik? Ka pasur rrezik për të gjithë. Mirëpo me turma të njëjta ne jemi ballafaquar. Policia e Kosovës ka arritur që në mënyrë profesionale t’i largojë ato turma nga hyrja e objekteve komunale dhe pa asnjë dëmtim tek Policia e Kosovës dhe te qytetarët është kryer detyra.
Nuk mund të garantojmë sigurt që nuk mund të kishte pasur viktima ose pasoja të rënda, mirëpo Policia e Kosovës ka qenë e përgatitur profesionalisht për t’i kryer detyrat e saj”, tha Hoxha./ Gazeta Ekspres