Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, ka vizituar ish-udhëheqësit e UÇK-së që po mbahen në Hagë.
Klinaku ka bërë të ditur se ka vizituar Jakup Krasniqin, Salih Mustafën, Rexhep Selimin, Pjetër Shalën e Kadri Veselin, ndërsa ka thënë se të dielën do të vijojë të vizitojë Nasim Haradinajn, Hysni Gucatin e Hashim Thaçin.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se në burg e kanë vendin pushtuesit serb që kanë kryer krime e masakra ndaj popullit shqiptar.
“Shokët këtu i kanë kushtuar jetën e tyre atdheut. Janë më të fortë se kurrë përballë këtyre sfidave dhe padrejtësive. Kanë shumë vizitorë nga Kosova e vende të ndryshme të botës, sepse populli i respekton si çlirimtarë,” ka shkruar Klinaku.