Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se kundërofensiva e Ukrainës “ka dështuar”, teksa ka pritur aleatin e tij të ngushtë, udhëheqësin bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, për bisedime në Shën Petersburg, të dielën.
“Nuk ka kundërofensivë”, ka thënë Lukashenka, i cituar nga agjencitë ruse të lajmeve. Putin i është përgjigjur atij, duke thënë se “ajo ekziston, por ka dështuar”.
Ukraina ka nisur kundërofensivën e saj të shumëpritur muajin e kaluar, por deri më tani ka bërë vetëm përparime të vogla kundër forcave ruse të shtrënguara në pozicione, të cilat kontrollojnë më shumë se një të gjashtën e territorit të saj, pas gati 17 muajsh luftë, raporton Reuters.
Gjenerali amerikan, Mark Milley, shef i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka thënë të martën se nisma ukrainase “është larg të qenët e dështuar”, por se do të jetë e gjatë, e vështirë dhe e përgjakshme.
Një kanal në platformën Telegram, i lidhur me Lukashenkan, e ka cituar atë të ketë thënë, me një ton shakatar, se luftëtarët e grupit mercenar rus, Wagner, të cilët tani po e stërvitin ushtrinë e Bjellorusisë, janë të vendosura për të kaluar kufirin drejt Polonisë, anëtare e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO).
“Djemtë e Wagner-it kanë nisur të na bëjnë trysni ata duan të shkojnë në perëndim. ‘Le të shkojmë në vizitë në Varshavë’”, është cituar të ketë thënë Lukashenka. Nuk ka pasur indikacione se Lukashenka po e shqyrtonte seriozisht atë ide.
Të enjten, ministria e Mbrojtjes e Bjellorusisë ka thënë se luftëtarët e Wagner-it kanë nisur t’i përgatisin forcat speciale bjelloruse në një poligon ushtarak, vetëm pak kilometra larg kufirit polak. /REL
Artikulli i plotë këtu.