Qeveria ka miratuar vendimin në mbledhjen e sotme që i kalon mbi 24 mijë Euro ish-prokurores Antoneta Sevdari, e cila ka fituar procesin me shtetin në Gjykatën e Strasburgut, për atë që ajo e kishte cilësuar si shkarkim të padrejtë nga procesi i vettingut në 2019.
Në vendimin e Gjykatës së Strasburgut thuhet se gjatë vettingut ka pasur shkelje të procedurave dhe për këtë, vendimi i shkarkimit nuk është i vlefshëm. Si dëmshpërblim, Strasburgu thotë se shteti shqiptar duhet t’i dëmshpërblejë Antoneta Sevdarit 24, 600 euro. Strasburgu e mori vendimin në dhjetor, qeveria shqiptare miratoi kalimin e dëmshpërblimit ditën e sotme.
“Vendosi; Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 13.12.2022, për çështjen “Sevdari kundër Shqipërisë”, kërkesa nr.40662/19, përfundimtar në datën 13.3.2023, në shumën 19 600 (nëntëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind) euro, në lidhje me dëmin pasuror dhe jopasuror, si dhe në shumën 5 000 (pesë mijë) euro, në lidhje me kostot dhe shpenzimet, plus çdo taksë që mund të jetë e aplikueshme” thuhet në vendim.