Një operacion me një skuadër të përbashkët hetimor, SPAK ka goditur grupin që mashtronin me shitjet online. Me një qendër call center të ngritur në një apartament në rrugën “Dritan Hoxha” në Tiranë banda arriti që të zhvaste 4.7 milionë euro nga xhepat e qytetarëve italianë.
Prokuroria italiane kreu 42 mijë përgjime. Provat janë të shumta. Por asnjë kokërr leku e sekuestruar. Prokuroria e posaçme dhe zyrtarët italianë që ishin sot në SPAK deklaruan se banda shumën prej 4.7 mln euro që zhvatën e konvertuan në Bitcoin dhe humbën gjurmët.
“Ishte një teknikë shumë e lartë rafinimi, ishin specialistë të nivelit të lartë të mashtrimit” tha prokurorja italiane për shqiptarët që ishin pjesë e këtij grupi kriminal. Drejtori i policisë së Tiranës, Tonin Vocaj u shpreh se nga 14 masa arresti, 5 janë ekzekutuar dhe janë futur në qeli, 4 janë në arrest shtëpie dhe 5 në kërkim. Në operacion morën pjesë 60 policë, 22 makina, u kontrolluan 12 banesa dhe u sekuestruan pajisje të prodhimit të Bitcoin.
“Doni të pasuroheni?”/ SPAK: Ja si u zhvatën 4.7 mln Euro! 140 kallëzime