Zonat e Spanjës janë në alarm portokalli për shkak të temperaturave jashtëzakonisht të larta për shkak të valës së zgjatur të të nxehtit.
Nga ana tjetër, Italia hyn nga e enjtja në zonën e vjeshtës, pas një periudhe vape të padurueshme.
Duke nisur nga Iberia, qytetet spanjolle Taragotha, Valencia, Murcia dhe Malaga janë “në flakë” nga vapa, me temperatura që arrijnë në 41 gradë.
Në të njëjtën kohë, Katalonja shpall gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të thatësirës në 24 komuna dhe shpall kufizime. Konsumi i ujit është i kufizuar në 200 litra për banor në ditë. Në zonat rurale është vendosur një kufizim që lejon përdorimin e vetëm 80% të ujit.
Në Itali moti pritet të ndryshojë së shpejti, me një rënie të madhe të temperaturës.
Nga e enjtja pritet rënie e temperaturës, duke nisur nga rajonet veriore të vendit. Temperaturat do të bien në Italinë qendrore të premten dhe në pjesën tjetër të vendit në fundjavë, duke përfshirë ishujt e Sardenjës dhe Siçilisë, ku javën e kaluar merkuri arriti në 47 gradë Celsius.
Sipas gazetës La Repubblica, kjo “shije e vjeshtës” mund të zgjasë deri më 15 gusht, me temperatura nën mesataren e periudhës në të gjithë Italinë.
Pas stuhive që goditën veriun italian në dy javët e fundit, Mbrojtja Civile dhe një sërë bashkish pritet të marrin masa parandaluese, për të kufizuar sa më shumë dëmet, në rast të reshjeve të reja të dendura dhe breshërive.