Spitali Universitar i Traumës do të integrohet me Spitalin Ushtarak të Forcave të Armatosura. Vendimi i marrë nga Këshilli i Ministrave me propozimin e Ministrit të Shëndetësisë dhe Ministrit të Mbrojtjes është botuar në Fletoren Zyrtare.
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave në vendimin nr.1001, të 2 dhjetorit 2015 “Për integrimin e Spitalit Universitar të Traumës dhe Spitalit Ushtarak të Forcave të Armatosura në një strukturë të bashkuar”, bëhen këto ndryshime:
Në bazën ligjore, togfjalëshi: “të ligjit nr.9106, datë 17.7.2003, “Për shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë”, zëvendësohet me “të ligjit nr.55/2022, “Për shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë”;
Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Struktura organike e integruar e Spitalit Universitar të Traumës hartohet dhe miratohet nga ministri përgjegjës për shëndetësinë dhe ministri i Mbrojtjes, sipas përgjegjësive specifike.”.
Kudo në përmbajtjen e vendimit, emërtimet: “Ministrisë së Shëndetësisë”, “Ministria e Shëndetësisë”, “ministri i Shëndetësisë” dhe “ministrit të Shëndetësisë”, zëvendësohen përkatësisht, me fjalët: “ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë”, “ministria përgjegjëse për shëndetësinë”, “ministri përgjegjës për shëndetësinë” dhe ministrit përgjegjës për shëndetësinë”.
Për zbatimin e vendimit ngarkohen ministria përgjegjëse për Shëndetësinë dhe Ministria e Mbrojtjes.