Inflacioni, i cili mat ndryshimin e çmimeve të konsumit të një shporte mallrash të caktuar, shënoi një rënie të lehtë në korrik të këtij viti, duke zbritur në 4.2%, niveli më i ulët nga marsi 2022, kur dhe filloi shtrenjtimi i ndjeshëm për shkak të pasojave të sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës.
Inflacioni kulmoi në tetor 2022 në 8.3% për të ardhur pastaj në një rënie graduale, e ndikuar kryesisht nga rënia e çmimeve të karburanteve.
Pavarësisht ngadalësimit, ushqimet, që zënë peshën kryesore të buxhetit të familjeve shqiptare kanë vijuar të shtrenjtohen, duke ndikuar pjesën më të madhe të inflacionit. Ushqimet janë 9% më të shtrenjta se korriku i kaluar, të ndikuara nga zarzavatet e patalet, që kushtojnë 21.6% më shumë, si dhe qumështi e vezët, me 13.6%.
Fluksi i lartë i turistëve duket se ka ndikuar edhe në shtrenjtimin e argëtimit, me çmimet 9.5% më të larta.
INSTAT raportoi se ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Korrik 2023 është 4,2 %, një vit më parë ky ndryshim ishte 7,5 %. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Korrik 2023, krahasuar me Qershor 2023 është -0,1 %.
Rritja vjetore e çmimeve në muajin Korrik është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +3,20 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me +0,44 pikë përqindje./Monitor
Artikulli i plotë këtu.