Përmirësimi i bilancit të jashtëm të ekonomisë shqiptare është faktori kryesor që ka sjellë forcimin e monedhës vendase në kursin e këmbimit.
Në raportin e radhës të politikës monetare, Banka e Shqipërisë ka sjellë një analizë rreth faktorëve që kanë sjellë forcimin e Lekut dhe efekteve të këtij forcimi në ekonomi.
Sipas Bankës së Shqipërisë, forcimi i kursit nominal të këmbimit gjatë tremujorëve të fundit ka ardhur kryesisht si rezultat i forcimit të trendit të kursit real të këmbimit, ose me fjalë të tjera i përmirësimit strukturor të sektorit të jashtëm të ekonomisë dhe rritjes në tërësi të produktivitetit të saj, si edhe i rënies së primeve të rrezikut, ose e thënë ndryshe, i rritjes së besimit të publikut në monedhën kombëtare.
Të dy këta faktorë duket se diktohen nga përmirësimi strukturor i bilancit të jashtëm të ekonomisë shqiptare, përmirësim i cili ilustrohet me disa tregues.
Deficiti i llogarisë korrente ka pasur një trend të qartë rënës gjatë kësaj periudhe, nga niveli 7.7% i PBB në vitin 2021 në nivelin 6% në vitin 2022 dhe më tej në 3.1% në tremujorin e parë të vitit 2023.
Ky përmirësim është diktuar nga rritja e kërkesës së huaj për shërbimet shqiptare të turizmit.
Flukset hyrëse të turizmit arritën nivelin e 2.8 miliardë eurove në 2022 dhe të 624 milion eurove në tremujorin e parë të vitit 2023, duke përshpejtuar ndjeshëm normat e rritjes.
Paralelisht me to, remitancat kanë ardhur në rritje, duke siguruar prurje valutore rreth 833.7 milionë euro në 2022 dhe 213.7 milionë euro në tremujorin e parë të vitit aktual./Monitor
Artikulli i plotë këtu.