Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka kërkuar sanksionimin e drejtuesve të komunës së Çairit dhe Tetovës, për siç ka thënë, “provokimet nacionaliste që propozojnë ide shoviniste të shteteve të mëdha” gjatë vizitës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të premten, më 11 gusht në Tetovë dhe Çair të Shkupit.
Kryeministri Albin Kurti qëndroi në këto dy komuna të banuara me popullatë shqiptare, me ftesë të kryetarit të Çairit, Visar Ganiu, dhe atij të Tetovës, Bilall Kasami. Kurti mori pjesë në përurimin e një rrugë me emrin e veprimtarit, Adem Demaçi në Çair, ndërsa në Tetovë mori pjesë në lëshimin në përdorim të një rruge në Malësinë e Tetovës.
Gjatë kësaj vizite Kurti dhe kreu i Tetovës folën edhe mbi nevojën e hapjes së një tuneli me gjatësi prej rreth 6 kilometra, që do të lidhte Tetovën me Prizrenin.
Kurti ishte pritur me ikonografi shqiptare, flamuj e simbole tjera kombëtare shqiptare.
“Vendosja e ikonografisë provokuese nacionaliste, që promovon ide shoviniste të shteteve të mëdha, paraqet nxitje të urrejtjes dhe jotolerancës etnike, nga të cilat pa mëdyshje goditen parimet dhe vlerat bazë të Marrëveshjes Kornizë si dhe konceptin e Maqedonisë si shtet multietnik”, u tha në reagimin e presidentit maqedonas, Stevo Pendarovski.
Ai ka reaguar edhe për “mosrespektimin e Ligjit për përdorimin e simboleve shtetërore të Maqedonisë së Veriut”.
“Organizatorët e tubimeve publike në Tetovë dhe Çair duhet të sanksionohen ligjërisht për shkeljen e dispozitave ligjore për përdorimin e flamurit dhe himnit shtetëror dhe flamujve dhe simboleve të komuniteteve, duke i injoruar plotësisht simbolet e shtetit. Në këtë drejtim, i bëj thirrje organeve kompetente që sa më parë të kryejnë procedurat e parapara”, thuhet në reagimin e Pendarovskit/REL
Artikulli i plotë këtu.