Vladimir Isufi, shoferi i ish zv/ministrit të Shëndetësisë Klodian Rjepaj është thirrur në SPAK duke dëshmuar se ka qenë në vitin 2014 në Kosovë, në një udhëtim me dy italianë dhe një shqiptar. Isufi i ka treguar oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, se këtë udhëtim ai e ka kryer me urdhër dhe dijeni të zv/ministrit Rjepaj.
“Nuk mund të lëvizte makina me targë TR 4112 R pa dijeninë e Klodian Rjepajt…”, ka treguar shoferi i këtij të fundit.
Dëshmia e shoferit Vladimir Isufi është marrë nga SPAK pasi hetuesit kanë vërtetur se në 12 dhjetor 2014, në bordin e kësaj makine kanë udhëtuar drejt pikës kufitare të Morinës duke dalë në Kosovë, dy italianë, Gianni Bidini, Vanessa Rossi dhe shqiptari Ilir Rrapaj, që një vit më vonë do bëhej pronari kryesor i kompanisë konçesionare të sterilizimit “Sani Service”.
“Dy italianët dhe shqiptarin i kam çuar në Universitetin e Prishtinës. Unë çdo lëvizje me automjet e kam bërë në dijeni dhe pasi të më thoshte zëvendës ministri. Mbaj mend se jemi nisur urgjent dhe se shpenzimet me karburant i kanë kryer udhëtarët, pasi e kanë furnizuar mjetin në Kosovë…” ka treguar shoferi Vladimir Isufi, shkruan gazetari Elton Qyno.