Pas ligjit për studentët e mjekësisë sot janë futur në fuqi edhe dy nismat e tjera që u miratuan në seancën e fundit të parlamentit me votat e shumicës socialiste. Bëhet fjalë për legalizimin e kanabisit mjekësor dhe ndryshimit për postin e kryetarit të Akademisë së Shkencave që i hap rrugën mandatit të dytë të Skënder Gjinushit.
Dy ligjet për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale dhe për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 53/2019 për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë u botuan në Fletoren Zyrtare. Si në rastin e studentëve edhe për dy ligjet e tjera, kreu i shtetit, Bajram Begaj vendosi që të mos fliste duke i kaluar në heshtje.
Dy çështje sensitive, që ngjallën jo vetëm reagimin e opozitës, por edhe të studentëve në protestë, që Presidenti i priti vetë, por në fund heshti. Presidenti kishte tre rrugë; ose t’i kthente, ose t’i miratonte ose të heshte duke i lejuar që të futeshin në fuqi. Bajram Begaj zgjodhi rrugën e heshtjes…