India është përgatitur që më 23 gusht të bëhet vendi i parë në botë që arrin ta ulë një anije kozmike në polin jugor të Hënës, disa ditë pasi një sondë ruse u rrëzua në të njëjtin rajon.
Kjo përpjekje për udhëtim në Hënë është një moment historik për vendin më të populluar në botë, pasi që India kështu po u afrohet arritjeve historike te fuqive globale hapësinore.
Chandrayaan-3 është planifikuar të arrijë pranë polit jugor hënor pak të eksploruar rreth orës 18:00, sipas kohës lokale.
“India shkon drejt Hënës”, thoshte më 23 gusht titulli i faqes së parë të gazetës The Times of India, pasi që ky mision po i dominon mediat në Indi aktualisht. “Është Dita D për Misionin e Hënës,” shkroi Hindustan Times.
Një përpjekje e mëparshme e Indisë për këtë mision kishte dështuar në vitin 2019. Përpjekja e re vjen vetëm disa ditë pasi misioni i parë i Rusisë në Hënë në pothuajse 50 vjet, i destinuar për të njëjtin rajon, u rrëzua në sipërfaqen hënore.
Por, ish-shefi i hapësirës indiane, K. Sivan, tha se fotot më të fundit të transmetuara nga anija dhanë shenja se edhe pjesa e fundit e udhëtimit drejt polit jugor të Hënës do të kishte sukses.
“Po na jep njëfarë inkurajimi që ne do të jemi në gjendje ta arrijmë misionin e uljes pa asnjë problem,” i tha ai agjencisë së lajmeve AFP.
Sivan shtoi se Organizata Indiane e Kërkimeve Hapësinore kishte bërë korrigjime pas dështimit të katër viteve më parë, kur shkencëtarët humbën kontaktin me anijen kozmike disa momente para uljes së planifikuar. /REL
Artikulli i plotë këtu.