Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së angazhohet fort për një reformë të forumeve ndërkombëtare, si p.sh. të Këshillit të Sigurimit. Sipas Antonio Guterres strukturat globale pasqyrojnë botën e së djeshmes.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres në kuadër të samitit të BRICS në Johanesburg është shprehur për një reformë të institucioneve multilaterale. Strukturat globale në fuqi në pjesën më të madhe janë krijuar pas Luftës së Dytë Botërore, tha Guterres duke iu referuar forumeve të tilla si Këshilli i Sigurimit të OKB-së, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Shumë vende afrikane asokohe sundoheshin prej fuqive koloniale. Që institucionet multilaterale të mbeten universale, ato duhet të reformohen. Gjithnjë e më shumë shtete duan të bashkohen me grupin BRICS.
“Ne jemi duke lëvizur drejt një bote multipolare dhe kjo është një gjë pozitive”, tha Guterres pak pasi u deklarua që grupi i vendeve më të rëndësishme në ekspansion BRICS do të pranojë në radhët e veta nga 1 janari 2024 edhe gjashtë vende të tjera anëtare: Arabinë Saudite, Iranin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Argjentinën, Egjiptin dhe Etiopinë.
Sipas ministrit të Jashtëm të Afrikës së Jugut, Naledi Pandor, së fundi më shumë se 40 shtete kanë shprehur interes për anëtarësimin në BRICS. Kjo aleancë e konsideron veten si një kundërpeshë ndaj kombeve të industrializuara perëndimore dhe ndër të tjera synon që të pakësojë dominancën e dollarit në sistemin global të financave.