Në konferencën që zhvilloi sot me mediat kryeministri Edi Rama foli gjatë për koncesionin e “Sterilizimit”. Kërkoi që t’i nxirret “uji i zi” gjithçkaje nëse ka shkuar keq dhe u distancua nga zyrtarët e arrestuar dhe të tjerët që janë nën hetim, mes tyre ish-ministri i tij, Ilir Beqja që sot menaxhon fondet e BE-së me bekimin e tij. Por një fjali e tij mes rreshtave mund të interpretohet edhe si mesazh i koduar për SPAK-un, gjykatën e Posaçme apo institucionet e tjera që të mos prekin kontratën, por të merren vetëm me individët.
“Kam marrë mesazhe pafund nga profesorë, nga mjekë që ishin të keqkuptuar apo të shqetësuar se mos kontrata do të sekuestrohej, që s’ishte rasti. Dhe pse? Sepse me atë kontratë dhe me atë transformim ne kemi ndryshuar shëndetësinë shqiptare në hallkën e vetë më delikate që janë ndërhyrjet në trupin e njerëzve” tha Rama.
Por nga lind ky aludim? Pak ditë më parë pas arrestimit të ish-zv/ ministrit Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj u zbulua se gjyqtari i Gjykatës së Posaçme Erion Bani kishte kërkuar që të hetohej edhe roli i dy ish-ministrave, Ilir Beqja dhe Shkëlqim Cani. Por jo vetëm kaq. Pika tjetër më e rëndësishme është urdhri i gjykatës që kërkon vënien në lëvizje të ILDKPI-së për të shpallur të pavlefshme kontratën e “Sterilizimit” mbasi u firmos në kushtet e konfliktit të interesave.
Sipas vendimit “gjykata çmon se ky vendim duhet t’i komunikohet Inspektoratit të Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive dhe Konfliktit të Interesave në përfundim të hetimeve paraprake, me qëllim marrjen e masave për ndjekjen e rrugës ligjore të hetimeve për konstatimin e pavlefshmërisë së Kontratës Koncesionare datë 02.12.2015 të lidhur midis Ministrisë së Shëndetësisë, përfaqësuar nga Ministri z.Ilir Beqaj dhe shoqërisë Saniservise sh.p.k përfaqësuar nga administratori z.Admir Daca”.
Deklarata e sotme e kryeministrit se “mjekët ishin të shqetësuar se mos kontrata do të sekuestrohej” si duket ishte edhe një shqetësim i tij që iu adresa institucioneve që kanë në dorë atë që kërkoi gjykata, që të shpallet e pavlefshme kontrata e “Sterilizimit”.