Vendi i shenjtë për besimin hindu, Joshimath, është shndërruar në një zonë katastrofe. Prej muajsh banorët kanë protestuar ndaj punimeve për ndërtimin e një hidrocentrali aty pranë, duke paralajmëruar për pasojat që do t’i sillte komunitetit të tyre. Tashmë godinat me disa kate kanë pësuar krisje, ndërsa rrugët kanë marrë të çara të mëdha. Mbi 850 shtëpi janë bërë të pabanueshme.
Prej muajsh rreth 29 mijë banorët e qytezës indiane Joshimath, një vend i fshehur në Himalaja dhe që adhurohet nga pelegrinët hindu dhe sikh, kanë parë se si toka po përpin dalëngadalë komunitetin e tyre.
Ata kanë bërë thirrje më kot për ndihmë dhe në janar çështja e tyre u ndërkombëtarizua. Por, tashmë qyteza Joshimath është bërë një zonë shkatërrimi. Hotelet me disa kate janë anuar; të çarat në rrugë qëndrojnë të hapura. Mbi 850 shtëpi janë bërë të pabanueshme, dhe në vend të ndihmave, këtu erdhën buldozerët për të rrafshuar pjesë të mëdha të qytezës.
I ndodhur në një lartësi prej 1890 metrash mbi nivelin e detit, qyteza Joshimath thuhet se ka fuqi të veçanta shpirtërore. Ndërsa vizitorët vazhdojnë të kalojnë përmes qytezës, rreth 240 familje janë detyruar tashmë të largohen.
Banorët kanë protestuar kundër ndërtimit të një hidrocentrali. Vendasit thonë se shpërthimet për ndërtimin e një tuneli në një distancë prej rreth 12 kilometrash, janë shkaku i rrënimit të shtëpive të tyre.
Banorët përgjatë rrugës, gati 100 kilometra larg qytezës Joshimath, frikësohen se dëmi nga çarjet mund të ndodhë edhe në shtëpitë e tyre.
Me punimet e rënda që nevojiten për hidrocentralin, si hedhja në erë e shkëmbinjve, ndryshimi i rrjedhës së lumit dhe prerja e pyjeve, në një rajon që është tashmë duke përjetuar pasojat edhe nga ndryshimi klimatik, ekspertët paralajmërojnë se mund të shkaktohen dëme të pariparueshme./VOA