Në arsimin paruniversitar të Kosovës sot fillon viti shkollor 2023/24. Por, as ky vit shkollor nuk do të nisë pa telashe.
Vitin e kaluar ishte greva e mësimdhënësve, e cila nisi më 25 gusht, që la jashtë bankave shkollore nxënësit për plot një muaj. Ndërsa, sivjet viti i ri shkollor po nis me probleme rreth furnizimit të nxënësve me tekste shkollore.
Ministria e Arsimit i ka shpërndarë falas librat për nxënësit e shkollave fillore nga viti 2008. Por, këtë vit ky dikaster ka ndryshuar mënyrën e shpërndarjes së teksteve shkollore, për shkak të dështimit të marrëveshjes me shtëpitë botuese për furnizimin e shkollave me libra, për faktin se, siç thotë MASHTI, shtëpitë botuese kanë ofertuar çmime shumë më të larta se ato që i vendosin në libraritë e tyre.
Sivjet prindërit janë përgjegjës për blerjen e teksteve dhe materialeve shkollore për fëmijët e tyre. Mjetet do të subvencionohen nga Ministria e Arsimit, pasi ata të kenë aplikuar në platformën online të Qeverisë E-Kosova.
Ky vendim i ministrisë ka ngjallur reagime të shumta tek prindërit, sindikata e arsimit dhe opozita, të cilët e kanë vlerësuar si paaftësi dhe “eksperiment të gabuar”. Keqmenaxhim nga MASHTI mos furnizimin e nxënësve me libra shkollor e kanë vlerësuar edhe drejtorët kimunalë të arsimit.
Platforma E-Kosova, ku prindërit kanë mundur të aplikojnë për subvencionimin e blerjes së librave, është hapur më 25 gusht – saktësisht një javë para nisjes së vitit të ri shkollor.
Ministria e Arsimit ka marrë vendim që të ndajë nga 80 euro për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën dhe nga 30 euro për ata nga e gjashta deri në të nëntën, pasi këta të fundit i kanë të siguruara librat nga viti i kaluar. Për këtë Qeveria ka ndarë rreth 13 milionë euro.