Një vajzë 17-vjeçe u mor peng për disa orë në Tiranë dhe u dërgua në fshatin Xhafzotaj në Durrës. Policia thotë, se vajza u mor peng dhe u rrah nga i dashuri i saj, i cili është arrestuar.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, pas njoftimit të marrë se një shtetas i kishte hequr lirinë për disa orë, si dhe kishte ushtruar dhunë ndaj një 17-vjeçareje, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e autorit të dyshuar dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.
Si rezultat i veprimeve të shpejta të shërbimeve të Policisë, është kapur në Xhafzotaj, dhe vënë në pranga autori i dyshuar, Bred Llaftiu 23 vjeç, banues në Xhafzotaj, Durrës.
Nga veprimet hetimore dyshohet se 23-vjeçari, ka marrë me forcë në automjetin e tij duke i hequr lirinë për disa orë, si dhe ka ushtruar dhunë ndaj të dashurës së tij 17-vjeçare” njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.