Mesditën e djeshme Leartiad Lekaj (Laert Keka) është përcjellë për në banesën e fundit nga familjarët, miqtë dhe shokët. Ai u ekzekutua mbrëmjen e së shtunës nga disa persona që u larguan me një “Audi”.
Dy ditë nga ngjarja nuk ka asnjë të arrestuar. Killerat dogjën makinën dhe u zhdukën pa gjurmë. Policia mblodhi gëzhojat, pyeti familjarë dhe dëshmitarë, por ende nuk ka asnjë të arrestuar.
Si u vra “Kapiteni”?
Ishte një karikator që u zbraz. Shënjestër ishte Leart Keka, i cili kishte ndryshuar emrin, por që nuk i shpëtoi hakmarrjes dyshohet si pasojë e të shkuarës së zezë, pasi dyshohet se ishte dënuar 10 vite burg për rrëmbimin dhe vrasjen e një kambisti.
I njohur edhe si “Kapiteni” nga rrethi i ngushtë, 41-vjeçari ishte në ndjekje për lëvizjet që bënte. Por nuk ruhej që pas daljes nga burgu. Filloi një jetë të re pas dënimit. U martua. Por e kaluara s’u harrua.
Keka u qëllua nga një makinë në lëvizje, rrëzua nga motori dhe zvarrë eci për disa metra në tentativë për t’u futur mes pallateve. Por njëri nga killerat zbriti nga “Audi” e ndoqi dhe e qëlloi nga afër për t’u siguruar se e vrau. 41-vjeçari e dha frymën e fundit në rrugë. 28 gëzhoja u gjetën në vendin e ngjarjes. 6 prekën trupin e shënjestrës, kokë, trup dhe këmbë duke i marrë jetën.
Arratisja
“Audi” u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Për disa minuta arriti që të dilte me shpejtësi nga qyteti. U largua drejt fshatit Kote ku iu vendos zjarri. Brenda u gjet një kallashnikov i djegur. Autorët ia mbathën. Një tjetër makinë i ka pritur për t’i marrë dhe larguar nga aty.
E shkuara dhe pistat
Laert Keka është një emër i dëgjuar dhe njohur jo vetëm në lagjen ku jetonte në Vlorë, por edhe për drejtësinë. Paraprakisht dyshohet se ka bërë 10 vite burg për vrasje në bashkëpunim. Rreth vitit 2000 dyshohet se ka marrë peng një kambist dhe e ka ekzekutuar.
Ndërsa vite më vonë është akuzuar edhe për vjedhje me dhunë. Në skedën e tij në policinë kriminale janë edhe disa konflikte të tjera. Kjo i ka bërë hetuesit që të përqendrohen tek pista e vrasjes për hakmarrje.