Sot nisi viti i ri shkollor. Pushimet mbaruan dhe këtë të hënë nxënësit rikthehen në shkollë. Rreth 29 mijë vogëlushë u ulën për herë të parë në bankat e shkollës. Si gjithmonë, urimet nga politika ishin të shumta. Thirrjet për kujdes për të ardhmen, por nesër harrohet gjithçka.
Dy janë problemet kryesore të këtij viti të ri shkollor, që në fakt janë të mbartura. Së pari nga viti në vit shpopullimi është akoma më i ndjeshëm. Fshatrat po boshatisen. Efekti ka filluar që të ndihet edhe në shkollat e qytetit.
Në cdo cep të Shqipërisë. Një pjesë e shkollave i numërojnë nxënësit me gishtat e dorës. Mungon gjallëria, zërat dhe gëzimi i fëmijëve. E ndërsa kjo është rrjedhojë e një politike keqqeverisëse prej vitesh, ka edhe një tjetër problem që nuk po gjen zgjidhje.
Ka mjaft shkolla nga jugu në veri që janë në kushte mjaft të vështira. Këtu nuk po flasim për dimrin dhe të ftohtin. Një shembull konkret erdhi nga Berati. 108 fëmijë të fshatrave Goriçan1 dhe Goriçan 2 e nisën mësimin jo në shkollë, por në një lokal.
Prindërit ankohen pasi fëmijët bëjnë mësimet me orë të shkurtuara dhe nuk marrin njohuritë e duhura. Në Rrajcë kishte një protestë. Gjithashtu edhe në Tiranë.
Banorët e Zall Herrit, Pinarit, Priskës së Vogël dhe Herrajt kanë dal sërish në protestë ditën e sotme pasi kërkojnë asfaltimin e rrugës. Edhe pse sot shënohet nisja e vitit të ri shkollor 2023-2024, banorët nuk i kanë dërguar fëmijët në shkollë në shenjë proteste.