Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të hapë hetim të thelluar në tregun e prodhimit dhe shitjes me shumicë të çimentos. Sipas vendimit të Komisionit të Konkurrencës, hetimi i thelluar do të marrë në analizë periudhën kohore nga 1 Janari 2019 deri në 31 Mars 2023.
Mbështetur në të dhënat e mbledhura gjatë procedurës së hetimit paraprak, tregu i çimentos gri në Shqipëri është një treg i përbërë nga katër kompani prodhuese që janë: “Antea Cement” SHA, “Elbasan Cement Factory” SHPK, “Fushë Kruja Cement Factory” SHPK dhe ”Colacem Albania” SHPK, si dhe dy ndërmarrje importuese, “Eurotech Cement” SHPK, dhe “Bërdica Cement” SHPK.
Sipas Autoritetit të Konkurrencës, për vitin 2021 ndërmarrja me pjesën më të madhe të tregut, referuar shitjeve brenda vendit, ishte Antea Cement me 45% të tregut, e ndjekur nga Fushë Kruja Cement me 31%, Colacem Albania me rreth 13%.
Ndërmarrja Eurotech Cement për vitin 2021 zinte rreth 8% të tregut ndërsa ndërmarrja Elbasan Cement 6% të sasisë totale të shitur brenda vendit. Për vitin 2021, në treg hyri edhe një ndërmarrje e re importuese, Bërdica Cement, me 1% të tregut.
Duke iu referuar sasisë totale të importuar, prodhuar dhe eksportuar, sërish për vitin 2021 ndërmarrja me pjesën më të madhe mbetet Antea Cement me 43% të tregut, e ndjekur nga Fushë Kruja Cement me 36% të tregut, Colacem Albania, me 11% të tregut, Elbasan Cement me 5% të tregut dhe Eurotech Cement, me 4% të sasisë totale të tregut të çimentos.
Edhe për periudhën janar — qershor 2022, referuar vetëm shitjeve brenda vendit, ndërmarrja me pjesën më të lartë të tregut ishte sërish Antea Cement me 58%, e ndjekur nga Fushë Kruja Cement, me 15%, Colacem Albania me 13%, Eurotech Cement me 8% dhe Elbasan Cement me 6% të tregut. Monitor