Drejtuesi i Asamblesë së Dhomave të Avokatëve të Greqisë, Dhimitrios Vervesos erdhi sot në Tiranë si “përforcim” për çështjen e Fredi Belerit. Zyrtari grek listoi disa argumente që sipas tij tregojnë shkeljen e të drejtave të njeriut për këtë rast.
“Ne nuk kemi ardhur këtu për të diskutuar për çështjen e Beleri dhe do i referohemi asaj. Në Greqi ai që dënohet në formë të prerë, patjetër që arrestohet. Por ka një dënim, jepet një vendim dënimi, nuk është se dikush mbahet në paraburgim.
Nëse nuk kemi dyshimin e arsyeshëm se ata do të ikin ose kanë potencialin që të kryejnë vepra të tjera penale ose të jenë në gjendje të ndryshojnë provat në dosjen penale. Beleri nuk do të bëjë asnjë nga këto të treja” tha ai.
Pranoi se të drejtat për të ndjekur procesin në rrugë gjyqësore nuk i janë mohuar. “Nuk mendoj se Belerit i janë mohuar të drejtat për t’iu drejtuar gjykatave. Atij i janë dhënë mundësitë për të ushtruar të drejtat e tij gjyqësore.
Po pse nuk i është leje të betohet? Duhet të jepet nga autoritetet administrative. Pra, i janë dhënë të gjitha të drejtat, por vazhdimi i paraburgimit është ajo që përbën shkelje. Dhe fakti që nuk është bërë ende betimi” tha ai.
Por e paragjykoi drejtësinë shqiptare. “Na kanë lënë një shije të hidhur të një vendimi të paramenduar”. Kishte një kërkesë për institucionet shqiptare. “Administrata ta çojë Belerin në Himarë që të betohet. Kur nuk ka një dënim penal, i dyshuari duhet të marrë detyrën. Më pas të vendosë gjykata nëse është apo jo fajtor. Janë shkelur të drejtat e njeriut”.
Në momentin që përfaqësuesi grek i avokatëve tha se me rastin Beleri janë shkelur të drejtat e njeriut, gazetarët e pyetën nëse ka këtë mendim edhe për Çamët që nuk po marrin pronat e tyre në Greqi? Këtu nuk pranoi që të përgjigjej duke iu shmangur pyetjes. “Kam ardhur vetëm për çështjen Beleri” tha ai.
“Beleri është kriminel”! Ky është qytetari që ndoqi ambasadoren greke: Turp të keni!