Në 16 Tetor në Shqipëri do të zhvillohet Procesi i Berlinit. Një muaj para samitit, në Tiranë është zhvilluar një konferencë mbi të ardhmen e shkencës dhe arsimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Të pranishëm kanë qenë edhe përfaqësues nga Akademia Kombëtare Gjermane e Shkencave Leopoldina.
Skënder Gjinushi ka vënë theksin tek investimet në shkencë nëpërmjet forcimit e zgjerimit të kapaciteteve njerëzore e logjistike, me synim ngritjen e nivelit të institucioneve arsimore e kërkimore në atë të simotrave evropiane.
“Kjo përkatësi domethënëse na mundëson për t’i kërkuar politikës së lartë europiane e qeverive përkatëse kthimin e vëmendjes së veçantë në gjithë rajonin kundrejt akademive, institucioneve dhe elitave arsimore-shkencore, për ta konkretizuar këtë me një mbështetje në rritje në të gjitha planet: politike e financiare, për shkencën, arsimin dhe kërkimin shkencor në rajon”, është shprehur Gjinushi.