Një fabrikë bojërash është përfshirë nga flakët mbrëmjen e sotme në autostradën Tiranë-Durrës në afërsi të Maminasit.
Nga zjarri është përfshirë e gjithë pjesa e pasme e fabrikës, ndërsa dhjetëra forca zjarrfikëse kanë mbërritur dhe po punojnë për neutralizimin e flakëve.
I pari ka qenë roja që sinjalizoi duke dhënë alarmin për zjarrin. Dyshimet paraprake janë se mund të kemi të bëjmë me një shkëndijë elektrike që mund ta ketë shkaktuar zjarrin. Por nuk përjashtohen pistat e tjera.
Fatmirësisht për momentin nuk ka të dhëna për persona të lënduar. Autostrada u bllokua, kalimi bëhet nga rruga dytësore. Energjia është shkëputur për të shmangur rrezikun më tej.