Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka deklaruar të hënën se BE-ja dënon sulmin e ndodhur në Banjskë të Zveçanit, teksa ka shtuar se situata duhet të de-përshkallëzohet dhe përmes dialogut të gjendet një rrugëdalje nga krizat e vazhdueshme.
Në një konferencë për media në Bruksel, Stano ka thënë se në Kosovë është krijuar një situatë shumë e rrezikshme. “BE-ja është shumë e qartë – ne jemi ndërmjetës. Të dyja palët duan të anëtarësohen në BE dhe rruga e tyre është përmes dialogut.
Ne nuk duhet të merremi me kriza të rrezikshme siç kemi tani, por duhet t’i ndihmojmë ata. Të gjitha këto janë thënë shumë qartë në njoftimin e anëtarëve të BE-së se si duhet të sillen për të hyrë në BE.
Masat e vendosura për Kosovën nuk janë sanksione, kemi thënë që në fillim se BE-ja e ka pasur të qartë se masat janë të përkohshme, nëse BE-ja gjen arsye do t’i prezantojë edhe Serbisë”, është shprehur Stano. I pyetur për një takim të mundshëm të nivelit të lartë në Bruksel, Stano ka thënë se palët do të ftohen kur të jetë e përshtatshme.