Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin ndodhet në Kosovë ku ka takuar kryeministrin Albin Kurtin pas sulmit dje në veri që solli vrasjen e një efektivi policie. Sarrazin sulmin e djeshëm ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit e ka quajtur kriminal dhe terrorist. Ai i ka shprehur ngushëllime familjes së policit të vrarë dhe gjithë Kosovës.
“Për mua është e rëndësishme që të jem sot në Prishtinë, në Kosovë. Dje ka qenë një situatë e tmerrshme. Ne dënojmë ashpër këtë sulm kriminal dhe terrorist ndaj Policisë së Kosovës dhe jemi këtu që të shprehim ngushëllimet dhe solidaritetin për familjen e policit të vrarë dhe gjithë Kosovën. Në këtë situatë qëndrojmë krah jush”, tha Sarrazin.