Politikani opozitar i Serbisë, Nikola Sanduloviç i është drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me një letër të hapur, pas ngjarjeve të fundit në veri. Presidenti i Partisë Republikane të Serbisë, Sanduloviç i ka propozuar Kurtit që ta ndalojë punën e Listës Serbe, të cilën e ka quajtur organizatë kriminale.
Sanduloviç i ka thënë Kurtit të kërkojë nga BE-ja dhe SHBA-ja që t’i bëjnë presion presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, që t’i dorëzojë terroristët që vranë një polic të Kosovës e lënduan tre tjerë.
“Po të isha në vendin tuaj, do ta ndaloja menjëherë punën politike të organizatës kriminale ‘Lista Serbe’, sepse Milan Radoiçiç, njeriu që e drejton atë organizatë, është etiketuar si organizator i një aksioni terrorist me qëllim të provokimit të një lufte tjetër mes serbëve dhe shqiptarëve në territorin e Kosovës.
Me këtë veprim do t’i tregoni popullit serb se jeton në një shtet ku kriminelët nuk guxojnë dhe nuk munden të sundojnë me jetën e tyre duke u fshehur pas një organizate politike, dhe se aty është një shtet që i mbron. Nëse nuk e bëni këtë, a është e sigurt se ata nuk do të organizojnë sërish diçka të tillë apo më të rëndë?
Me ndalimin e ‘Listës Serbe’ dhe aktivitetit të tyre politik në territorin e Republikës së Kosovës, ju do t’i jepni shans partive normale serbe të cilat do të kenë një bashkëpunim normal me ju pa frikë nga Lista Serbe dhe do të arrijnë paqen për të gjithë ju në Kosovë” tha ai.