Kënga “El Jefe”, e cilësuar si një “himn” kundër shfrytëzimit në punë dhe ksenofobisë, mesa duket nuk ka pasur prapaskenat më të bukura për pjesëmarrësit në videoklip, pasi thuhet se këngëtarja ka pasur një sjellje jo të mirë me ta.
Sipas asaj që është bërë e ditur në mediat e huaja, një nga balerinat e artistes, teksa ka folur në kanalin YouTube “La Saga”, është shprehur se këngëtarja i ka borxh një shumë të konsiderueshme parash dhe se nuk i ka falënderuar kurrë për punën e tyre.
“Kam bërë 12 takime dhe ajo nuk më ka paguar. Po them edhe që do të kisha punuar për të pa para, por mënyra se si na trajtonte ne valltaret… Kam punuar me njerëz shumë të suksesshëm, artistë të njohur dhe ata të ishin mirënjohës.
Ajo nuk na tha kurrë ‘faleminderit’ për asgjë. Na qortoi shumë dhe na hoqi nga skena, sepse nuk donte që ne të dilnim me të në planet e mëdha ”, tha Jenny García, e cila ishte pjesë e trupëss të vallëzimit të këngëtares.
Modelja ka treguar më tej se ka dëgjuar, teksa Shakira i ka kërkuar sigurimit gjatë kohës së pushimit, që t’i largonte valltarët nga aty ku qendronin. “Çfarë po bëjnë balerinat këtu? Largoji që këtu, jo, jo, jo…”. Një përvojë që e bëri atë të humbasë “respektin për të,” ka treguar Jenny.