Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar nga shtetet mike që t’i shpallin terroriste organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” që sipas tij qëndrojnë pas sulmit në veri. Kurti ka kërkuar që sulmuesit që kanë arritur të ikin nga Kosova, të dorëzohen ose të ekstradohen tek organet e sigurisë në Kosovë. Debati në parlament ishte i fortë me opozitën.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se në krye të grupit të terroristëve qëndronte Milan Radojçiç. “Këtë të diele Republika e Kosovës u bë cak i një sulmi mirë të organizuar, mirë të paramenduar terroristë. Në krye të këtij organizimi qëndronte krimineli, tashmë i shndërruar në terroristë, Milan Radojçiq në mbështetje të tij, tashmë pas asnjë dyshim qëndronte Republika e Serbisë” tha ai.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi kërkoi që të nisë një hetim ndërkombëtar emergjent që do të vërtetojë përfshirjen e shtetit serb. “I bëjmë komunitetit ndërkombëtar që të nisë një hetim ndërkombëtar emergjent për të vërtetuar përfshirjen e shtetit serb në sulmin terrorist mbi Kosovën”, tha ai në Kuvend.
Ish-kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj u shpreh se zhvillimet kanë shkuar në rrugën e gabuar për fajin e këtij njeriu, duke e drejtuar gishtin nga Albin Kurti.
“Duhet ta patrullonin vijën kufitari ushtria jonë në bashkëpunim me KFOR-in dhe s’do të mund të kalonin terroristët kufirin. Kurti po fajëson Borellin dhe Lajcakun që vetë I ka zgjedhur. Ju lutem, mashtrimi s’kalon. Nuk kalon mashtrimi. Zhvillimet kanë shkuar në rrugën e gabuar për fajin e këtij njeri”, ka thënë Haradinaj.
Kurti thirrje SHBA-BE: Ndëshkoni Serbinë dhe shpallni terroriste dy organizatat