At Artur Liolini, kancelar i Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare, pasuesi i Fan Nolit dhe një person me reputacion të shkëlqyer në SHBA ka ndërruar jetë.
Që fëmijë Artur Liolin kishte të njëjtat parime shpirtërore dhe patriotike si Fan Noli derisa u bë i pari i Kishës Ortodokse Shqiptare të Bostonit dhe një pasues i denjë i themeluesit te kishës Ortodokse Shqiptare ne SHBA, Fan Noli.
I lindur ne vitin 43’, ishte fëmijë i prindërve shqiptarë që emigruan në Shtetet e Bashkuara nga Boboshtica e Korçës dhe i ati ishte mik i afërt me Nolin.
Pas studimeve ne Princeton ku u diplomua me nderimet me te larta, në vitin 1970 u dorëzua në gradën priftërore në Boston ku themeloi Bibliotekën e Fan Nolit, pranë Kryekishës së Shën Gjergjit në Boston.
Në vitin ’75 u emërua Kancelar i Peshkopatës Ortodokse Shqiptare të Amerikës ndërsa ne ’91 At Liolin vizitoi dhe meshoi në 22 qytete ne Shqipëri.
At Artur Evans Liolin përveç aktivitetit fetar, ka edhe një aktivitet të madh humanitar e diplomatik në dobi të Shqipërisë, si dhe mjaft studime për të : “Shqipëria – enigmë evropiane”, “Fan Noli dhe vetëdija shqiptare”, “Shoqëria shqiptare – riformim dhe gjetje”, etj.
Ai ishte shqiptari që mbajti gjallë jo vetëm frymën e kishës shqiptare ortodokse në Boston, por edhe të çështjen kombëtare shqiptare, veçanërisht atë të Kosovës. At Artur Liolin la pas gruan e tij, priftëreshën Margarita dhe tre fëmijët.