Përpjekjet e Suedisë për t’iu bashkuar NATO-s po zvarriten, ndërsa parlamenti turk fillon punën këtë të dielë pa e përfshirë votimin që do të siguronte zgjerimin e NATO-s, në rend të ditës. Shtyrja e votimit e fut Turqinë në një kurs përplasjeje me Uashingtonin.
Aleatët e Turqisë në NATO kanë shpresuar për një miratim të shpejtë të kërkesës së Suedisë për t’iu bashkuar aleancës veri-atlantike, kur deputetët turq të kthehen në parlament në fillim të tetorit. Këto shpresa, megjithatë u shuan kur u mësua se ky votim nuk ishte në rendin e ditës së parlamentit.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan thotë se miratimi i protokollit të anëtarësimit të Suedisë në NATO nga vendi i tij lidhet me miratimin nga Uashingtoni, të vendimit për shitje të avionëve luftarakë amerikanë, F-16, Turqisë.
“Çështja kryesore në këtë pikë është shitja e avionëve të sapoprodhuar F-16 dhe pajisjeve shtesë të tyre, vendim që nuk po miratohet nga Kongresi amerikan. Sigurisht, ekziston një lidhje midis këtyre dy çështjeve,” thotë Serhat Guvenc, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Kadir Has të Stambollit.
Disa ligjvënës në Kongresin amerikan kundërshtojnë shitjen e avionëve pasi janë të shqetësuar rreth kërcënimeve turke ndaj Greqisë fqinje.
Zoti Erdogan, i cili mbështeti anëtarësimin e Suedisë në NATO, tani thotë se nuk mund të japë garanci mbi votën pro të deputetëve të tij në parlament.
“Tashmë kjo është kthyer në një cështje se kush duhet të veprojë i pari. Uashingtoni është i shqetësuar se ata mund t’i shesin avionët F-16 dhe Turqia të mos e miratojë anëtarësimin e Suedisë në NATO. Ankaraja është e shqetësuar se Turqia mund ta bëjë këtë dhe Uashingtoni të mos përgjigjet. Ky është problemi,” thotë Ozgur Unluhisarcikli, udhëheqësi i zyrës së Planit gjerman Marshall në Ankara./VOA
Artikulli i plotë këtu.