Vila e Milan Radoiçiç, e cila ditë më parë është bastisur nga policia e Kosovës, ka ngritur pyetjen për ligjshmërinë e pasurisë së ish-nënkryetarit të Listës Serbe.
Mediat serbe kanë shtruar pyetjen se si fitoi kaq shumë të ardhura “mbrojtësi i serbëve në veri të Kosovës” dhe a është ai një “Pablo Escobar”?
“Është një shfaqje force, në një farë mënyre. Kjo flet vetëm për fuqinë. Krijon një imazh tjetër pushteti, paprekshmëri. E shikon çfarë vile ka, mos u ngatërro me të. Besoj shumë se ai ishte mjeshtër i jetës dhe vdekjes në veri të Kosovës,” ka thënë Millosh Laziç, gazetar i portalit Nova.rs në Serbi.
Sipas medias serbe, objekte të ngjashme kanë tërhequr vëmendjen e publikut në Serbi edhe më parë.
Kështu, Shilerova e klanit të Zemunit përmendej si një vilë në të cilën janë të praruara bravat, në të cilën veprat e artit kushtojnë shtrenjtë dhe ishte selia e Dushan Spasojeviçit.
“Ne e dimë nga vendimet gjyqësore se klani i Zemunit ishte krahu i zgjatur i Sllobodan Millosheviçit. Kjo është arsyeja pse u rrit. Nga disa gjykime dimë se ai ka shërbyer si logjistikë për vrasjet politike. Në anën tjetër, Dushan Spasojevoçi nuk ka qenë nënkryetar dhe anëtar i rëndësishëm i SPS-së dhe ky njeri është nënkryetar i Listës Serbe, pra dega e SNS-së në Kosovë,” beson Cvijiç.
Në një kohë kur në vilën në Shilerova janë investuar 8.5 milionë marka gjermane të atëhershme, ndërtesa e Radoiçiçit është ende në pritje të një vlerësimi.