Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu deklaroi se situata e sigurisë në veri është e brishtë dhe se në zonën e Izvorit po ndërtohet një bazë ushtarake.
Musliu, që është kryetare e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) u shpreh se AKI-ja e ka vërejtur rritjen e pranisë së ushtrisë serbe në afërsi të kufirit me Kosovën.
“Dua te theksoj me bindje të plotë se AKI-ja bashkë me Policinë kanë qenë në detyrën e tyre dhe e kanë kryer në mënyrë perfekte dhe në kohë. Siç e dini se Serbia kishte pretendime territoriale dhe kishte pretendim mbajtjen e krizës në lidhje me interesat e Rusisë.
Diçka e re që morëm nga AKI-ja është vërejtur rritja e pranisë të ushtrisë së Serbisë në kufi. E në afërsi të Izvorit është duke ndërtuar një bazë ushtarake. Ajo çka vlen të theksohet se gjendja e sigurisë është e brishtë”, ka thënë deputetja e PDK-së pas mbledhjes së këtij Komisioni.