Rruga e Arbrit nuk dihet se kur do të përfundojë. Zv/ ministrja Enkelejda Muçaj dhe drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi nuk kishin një përgjigje.
“Është duke mbaruar asfaltimi për të gjitha segmentet rrugore, me përjashtim të tunelit të Murrizit. Në momentin që do të shohim dritë në fund të tij, do t’u japim një datë të saktë se kur përfundon” tha Berberi.
Kur përfundon kontrata koncesionare e Rrugës së Arbrit? Ishte pyetja konkrete e deputetes Dhurata Çupi. “Për Rrugën e Arbrit do të doja një takim me ju zyrtar.
Ju lutem do ju ftoja në një takim për t’iu dhënë një informacion të saktë. Me të drejtë ju shtroni kohën, por kosto shtesë nuk ka pasur” tha Enkelejda Muçaj duke iu shmangur pyetjes.
Kontrata e rrugës së Arbrit ishte parashikuar për t’u dorëzuar në prill 2022, por qeveria mori vendim për ta shtyrë këtë kontratë me 17 muaj të tjerë, afat që përfundoi me 20 shtator të këtij viti.
Ndërtimi i kësaj rruge u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 40 miliardë lekë [330 milionë euro], kosto për të cilën zyrtarët e ministrisë këmbëngulën se nuk ndryshon pavarësisht shtyrjes së afatit kohor të dorëzimit të saj.