Ministri i Brendshëm Taulant Balla raportoi sot në Komisionin për Çështjet Europiane në Kuvendin e Shqipërisë në lidhje me nivelin e zbatimit të marrëveshjes për lirinë e lëvizjes me karta identiteti në Ballkanin Perëndimor. Ministri socialist mori përgëzimet e dy deputetëve që janë rreshtuar me Lulzim Bashën. Arbi Agalliu dhe Kreshnik Çollaku vlerësuan punën.
I pari ishte deputeti i zgjedhur në Vlorë me siglën e PD-së, Agalliu. “Indeksi i kriminalitetit është ulur. Kemi një trend ulës. Kjo tregon që policia e shtetit është në rrugën e duhur, por duhet shumë punë. Duhet staf i angazhuar dhe i përgjegjshëm. Në diskutimet tuaja më ka tërhequr vëmendjen fenomeni i pastrimit të policisë së shtetit. Ana financiare është shumë e rëndësishme. Ende ka individë të korruptuar. Goditja e grupeve kriminale në Vlorë muajt e fundit ka dhënë impakt në qytet” tha ai.
Edhe Çollaku kishte fjalë pozitive. “Është lajm i mirë ky nivel sa më i lehtësuar i lëvizjes së lirë të qytetarëve në Ballkanin Perëndimor. Kam premtuar se nuk do të bëj përfitime politike me diçka që do ta përshëndes që e keni bërë. Është fakt që ka një lehtësim të lehtësuar me Kosovën, por a ka akoma hapësirë apo pengesë për të lehtësuar më tej fluksin mes dy vendeve tona” tha ai.