Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor deklaroi se nëse hetimi i kryer nga Bashkimi Evropian dhe Perëndimi zbulon se Beogradi qëndron pas sulmit në Kosovë, kjo do të thotë se Serbia heq dorë nga anëtarësimi i saj në BE dhe mbetet në zonën e interesit të Rusisë.
Në një konferencë në Budva të premten, në një panel kushtuar të ardhmes së Ballkanit Perëndimor, Pahori tha se do të ishte shumë i zhgënjyer nëse politika zyrtare e Beogradit është prapa sulmit në Banjskë të Zveçanit, që la të vdekur rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku dhe tre anëtarë të grupit paraushtarak serb.
“Nuk e di se çfarë ka ndodhur saktësisht, duhet të shohim se çfarë do të tregojë hetimi. Por, nëse del se Serbia qëndron pas gjithçkaje, do të thotë se në Beograd ka pasur vendim që nuk ka vend në BE, por se mbetet në sferën e interesit të Moskës. Ky do të ishte lajm trishtues dhe do të isha shumë i zhgënjyer nëse do të zbulohej se pas gjithçkaje qëndron politika zyrtare serbe”, ka thënë Pahor.