Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç u kap në befasi nga sulmi i fundit në Kosovë dhe tani po përpiqet të rimarrë iniciativën dhe kontrollin – në planin e brendshëm dhe ndërkombëtar – dhe të kufizojë dëmin e shkaktuar, tha për Radion Evropa e Lirë, Dimitar Bechev, profesor në Universitetin e Oksfordit.
“Kjo është shumë shqetësuese për Vuçiqin, sepse ai dëshiron të ketë kontroll të plotë. Kështu paraqitet ai në Perëndim dhe befas, të gjithë të dëgjueshmit dhe vartësit e tij po veprojnë kokë më vete në Kosovë. Prandaj, mendoj se për të është e rëndësishme që të rivendosë kontrollin dhe t’u tregojë të gjithëve se kush është shefi, se nuk mund të bëjnë çfarë të duan, sepse kjo është joproduktive”, vlerëson Bechev. Ai konsideron se vënia e pritës ndaj policisë së Kosovë dhe marrja e vendimit shumë të rrezikshëm për dërgimin e 30 personave të armatosur, nuk ka logjikë strategjike.
Sipas tij, ndryshe nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara (SHBA), që po nxitojnë të arrijnë një zgjidhje sa më të shpejtë për Kosovën, sepse vitin e ardhshëm janë zgjedhjet për Parlamentin Evropian dhe zgjedhjet presidenciale amerikane, Vuçiqi dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kanë arsye për zvarritje.
“Vuçiqi ka mënyra për të ngadalësuar procesin nëse në dhjetor ka zgjedhje të parakohshme në Serbi, ose menjëherë pas dhjetorit. Ai ka justifikim të përsosur, sikurse vitin e kaluar, për të vonuar formimin e qeverisë. Mendoj se askush nuk do të bjerë në këtë grackë, sepse në fund të fundit, të gjithë e dinë që Vuçiqi i sjellë të gjitha vendimet. Nëse Kurti është i bindur se Borrelli dhe Lajçaku anojnë shumë nga Beogradi dhe ekipi i ardhshëm evropian është më i balancuar, edhe Kosova mund të vendosë të mos nxitojë”, vlerëson Bechev.