Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak deklaroi sot nga Prishtina se bashkët me diplomatët e tjerë shkuan në zyrën e Albin Kurtit me një plan për Asociacionin. Lajcak u shpreh plani do të diskutohet edhe në Serbi me Aleksander Vucicin.
Emisari sllovak tha se dialogu s’ka alternativë duke theksuar se sulmi në Banjskë ka ndryshuar shumë gjërat. “Ne gjithmonë kemi plan, patëm një plan, e diskutuam planin tonë me z. Kurti. Do ta diskutojmë edhe me z. Vucic.
Nuk do të them më shumë në detaje. Dialogu s’ka alternativë. Sulmi i Banjskës ka ndryshuar shumë gjëra. Dhe isha shumë i qartë që autorët duhet të përballen me pasojat. Dialogu duhet të vazhdojë”, ka deklaruar Lajcak.
“Kurti ka një përgjegjësi për të bërë progres në normalizimin e relacioneve nëse Kosova do të bëjë progres drejt BE-së. Tani ne duhet të theksojmë nevojën për të lëvizur në themelimin e Asociacionit pa ndonjë vonesë. Pa këtë, nuk do të ketë progres të Kosovës në rrugën europiane. E vlerësojmë gatishmërinë e Kurtit për të vazhduar diskutimet tona shpejt. Do të vazhdojmë në Beograd ku do të takojmë presidentin Vuçiç.
Me Kurtin patëm një diskutim të thellë dhe substancial si duhet të avancohen marrëdhëniet me Kosovën dhe Serbinë dhe për të bërë progres në zbatimin e marrëveshjeve të kaluara. Ne dëgjuam me vëmendje pikëpamjet e kryeministrit Kurti dhe po ashtu dhe shqetësimet për situatën e sigurisë në veri të Kosovës” tha ai.