Partizani fitoi derbin përballë Tiranës, por tani duhet të paguajë dëmet që shkaktuan tifozët në stadium. Komisioni i Disiplinës nuk ka kursyer as ekipin e Tiranës për shkatërrimet e stolave nga ultrasit bardheblu.
“Partizani, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke ndezur flakadanë dhe duke dëmtuar ambientet e stadiumit “Air Albania”, si dhe lejimin e personave të paautorizuar për të hyrë në fushën e lojës pas përfundimit të ndeshjes, në bazë të neneve 17/2/a, 17/2/c dhe 17/2/f të KDE, dënohet me gjobë në masën 300.000 (treqind mijë) lekë. Partizani, urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në Stadiumin “Air Albania” sipas akt konstatimit, brenda 15 ditëve.
Lojtari i FK Partizani, Gjelbrim Taipi, për shkelje të rregullave themelore të sjelljes së mirë, duke ndezur flakadanë në fushën e lojës pas përfundimit të ndeshjes, në bazë të neneve 3/d, 6/1/c, 6/4 dhe 13/2/a të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.
KF Tirana, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende në fushë, ndezur flakadanë dhe duke dëmtuar ambientet e stadiumit “Air Albania”, në bazë të neneve 17/2/b, 17/2/c dhe 17/2/f të KDE, dënohet me gjobë në masën 400.000 (katërqind mijë) lekë. Tirana, urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në Stadiumin “Air Albania” sipas akt konstatimit, brenda 15 ditëve” thuhet në njoftimin e komisionit të Disiplinës në FSHF.