Sali Berisha, ashtu sikur thotë SPAK-u, e pranoi sot se ishte komandanti i Logjistikës në Forcat e Armatosura, Vladimir Qirjazi që bllokoi privatizimin e kompleksit “Partizani”. Rreshtoi disa shkelje për ish-komandantin, por në fund tha se ishin socialistët që e liruan nga ushtria.
“Përdorimi i urdhrit të kontrollit për bllokimin e procesit të privatizimit nga delinkuentë që shpërbleheshin për këtë bllokim nga mafia e krijuar në klubin Partizani. Kryeministri i Shqipërisë nga 2005-08 ka firmosur qindra urdhra kontrolli që i silleshin nga departamenti i luftës kundër korrupsionit.
Urdhra të tjerë janë firmosur nga sekretari i përgjithshëm dhe drejtori i departamentit. Në rastin konkret sqaroj se departamenti ka nisur kontrollin me urdhër të kryeministrit bazuar në ankesën e familjeve pronare të truallit, që akuzonin për korrupsion në bllokimin e procesit. Komanda Mbështetëse me drejtues Vladimir Qirjazin, ishte bllokuesi kryesor.
Cilido që lexon akuzat e tij e kupton mirë se ai me ato që thotë vetë, fakton se klubi Partizani, drejtori i tij kishin përfunduar në tokën e askujt. Kjo ishte tokë pa zot që në vitin 2000. Pronarëve nuk u jepej. Urdhri për privatizim doli në 2006. Vladimir Qirjazi nxori urdhër në vitin 2009 për lirimin e objekteve. Qirjazi është nxjerrë nga socialist dhe jo nga ne nga shërbimi” tha ai.
Në dosjen e SPAK-ut thuhet se Sali Berisha kur ishte kryeministër ngriti një grup kontrolli në zyrat e komandantit që bllokoi privatizimin. Por në këtë grup kontrolli ishte Ilir Kadiu, kushëriri i dhëndrit të Berishës dhe bashkëpronar te pronat e kompleksit që ishte në proces. Për këtë konflikt interesi, Berisha, tha se nuk kishte dijeni.
“Kushëriri i Albi Malltezit, Kadiu. Unë nuk kam asnjë dijeni. Kurrën e kurrës. Sepse nuk do të shkonte. Por ka pasur zero pasojë. Aty ka qenë edhe inspektori tjetër. Asnjë nga gjetjet nuk është kundërshtuar” tha ai.