Trajneri Ilir Daja foli në konferencën për shtyp përpara ndeshjes Ballkani-Astana. E vlefshme për xhiron e tretë të grupit C në Conference League. Sfida e kampionëve të Kosovës do të zhvillohet të enjten në 18:45.
“Gjendja e skuadrës? 90% janë të gatshëm. Me stërvitje të diferencuar kemi Hamitin, të cilin do e kemi në pankinë nesër. Nuk do të luajë si titullar. Kemi edhe Ismajlgecin, i cili ka bërë stërvitje të diferencuar. Pjesa tjetër e grupit është në dispozicion.
Duhet të jemi me këmbë në tokë. Astana ka mbi 90 takime në Europë. Ka marrë pjesë edhe në grupet e Champions League. Pas një fitoreje historike ndaj Dinamos së Zagrebit, nuk është e mundur të ndryshojmë objektivat. Do i marrim ndeshjet hap pas hapi. Do të fokusohemi tek Astana. Një ndeshje shumë e vështirë, por nuk do të ndryshojmë asgjë nga ato që kemi bërë deri sot” deklaroi trajneri i Ballkanit.