Pas dorëheqjes së Ardi Veliut nga posti drejtues në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, Ministria e Brendshme ka shpallur thirrjen për aplikime. Dorëzimi i dokumenteve të renditura do të kryhet në zyrën e protokollit të MB-së. Gjithë procesi do zgjasë deri më 3 Nëntor të këtij viti.
Njoftimi i plotë nga ministria
Ministria e Brendshme shpall thirrjen për aplikime për pozicionin Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore
KUSHTET:
Kritere të përgjithshme:
- të ketë shtetësinë shqiptare;
- të ketë integritet dhe figurë të pastër morale;
- të mos ketë masa për shkelje të rënda disiplinore brenda 3 vjetëve të fundit;
- të mos jetë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale.
Kritere të veçanta:
- të ketë shërbyer për një periudhë, jo më pak se 10 vjet në strukturat e sigurisë, ose në sistemin e drejtësisë;
- t’i nënshtrohet ose të ketë kaluar procesin e vlerësimit kalimtar.
DOKUMENTACIONI, MËNYRA DHE AFATI I DORËZIMIT
Kandidatët që aplikojnë duhet të dorëzojnë dokumentet, si më poshtë:
- Kërkesën për aplikim;
- Jetëshkrimin;
- Fotokopje të diplomës;
- Fotokopje të librezës së punës dhe/ose dokumentacionit që vërteton eksperiencën në punë;
- Fotokopje të letërnjoftimit (ID);
- Vërtetim të gjendjes shëndetësore;
- Vetëdeklarim të gjendjes gjyqësore;
- Çdo dokumentacion tjetër të mundshëm që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimin shtesë, apo vlerësimet për eksperiencat e punës të përmendura në jetëshkrim.
Aplikimi dhe dorëzimi i të gjitha dokumenteve të cituara mund të bëhet në zyrën e protokollit të Ministrisë së Brendshme, ose përmes dërgimit në postën elektronike zyrtare të institucionit : [email protected]. Kandidatët e interesuar duhet të paraqesin kërkesën për aplikim, si dhe dokumentacionin vërtetues për kriteret e përgjithshme e të posaçme brenda datës 3 Nëntor 2023.