Në ditën e pestë të grevës së urisë së minatorëve të Trepçës, 15 minatorë kanë bërë kontroll tek qendra mjekësore që gjendet ngjitur me minierën për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore.
Doktoresha, Bleriana Shabani ka bërë të ditur për mediat në Kosovë se ata kanë dhimbje koke dhe tension të lartë ndërsa ka shtuar se asnjëri prej tyre nuk ka pranuar mjekim.
Minatorët e “Trepçës” po e vazhdojnë grevën me kërkesat për përmirësimin e kushteve të punës, sigurimi shëndetësor, ekzekutimi me rregull i pagave dhe shkarkimi i kryeshefit.
Të premten, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Minierës së Stantërgut, Bujar Jashari, ka thënë se ka dhënë dorëheqje nga detyra pas mbledhjes së Bordit mbikëqyrës të Minierës së Trepçës, duke hedhur akuza për presion.
Ministria e Ekonomisë ka thënë se është njoftuar me kërkesat e grevistëve më 24 tetor dhe se qeveria ka ndarë mjete një ditë para grevës dhe se ndërmarrja ka ekzekutuar pagat një ditë pasi kishte filluar greva.