Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka thënë se mendon se bota është në prag të një konflikti botëror.
“Kemi një situatë mjaft të vështirë në Ukrainë dhe tani është fare e qartë se Perëndimi do ta ketë të vështirë të mposhtë rusët, ashtu si rusët do ta kenë të vështirë të mposhtin ukrainasit. Kina dhe Amerika mbetën jashtë konfliktit, por Amerika pa mëdyshje ndihmon Ukrainën dhe Izraelin. Fatkeqësisht, ne po i afrohemi kësaj, njerëzit dhe shumë vende duan një rend tjetër në botë,” tha ai.
Vuçiç ka thënë se e gjithë bota po shkon në drejtim të keq.
“Prandaj na duhet siguria dhe stabiliteti, për të mbrojtur vendin tonë dhe jo për ta sulmuar atë siç bëjnë disa,” tha Vuçiç.
I pyetur nëse është e mundur të ruhet siguria dhe stabiliteti dhe Serbia të mbetet në këtë pozicion, ai tha se tashmë po ia del.
Duke komentuar ngjarjet e fundit në Banjskë, ai tha se Serbia nuk është në pozitë të lehtë, por se nuk ka arsye për t’u shqetësuar.
“Do ta shtyjmë vendin përpara,” tha Vuçiç dhe shtoi se Serbia është e gatshme të përmbushë gjërat që nuk kanë të bëjnë me njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin në OKB.
“Por dikush duhet të formojë Asociacionin, dhe Prishtina nuk e dëshiron këtë, nuk duan të formojnë,” tha Vuçiç.
I pyetur nëse i frikësohet përshkallëzimit në Kosovë, Vuçiç tha se ka frikë çdo ditë.
“Serbia nuk është kurrë aq e fortë sa do të doja të ishte. As ekonomikisht dhe as ushtarakisht. Unë e di çdo mangësi për sa i përket fuqisë punëtore, pajisjeve, teknikës, gjithçka që mungon në ushtrinë tonë,” tha Vuçiç për mediat serbe./Gazeta Express