Ish-deputeti Mark Frroku i arrestuar nga policia e Durrësit së bashku me shtatë persona të tjerë për konfliktin e pronës tek Kepi i Rodonit do të dalë përpara gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë. Një “mal” me akuza rëndojnë mbi Frrokun.
Ndaj ish-deputetit rëndojnë akuzat për “Kanosje”, “Veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës”, “Prishje e rendit dhe qetësisë publike”, si dhe “Moskallëzim krimi”. Ndërkohë banorët e arrestuar akuzohen për “Vetëgjyqësi” dhe “Plagosje me dashje”.
Por çfarë deklaroi ish-deputeti dhe njëri nga anëtarët e familjes Kaçuli?
Detaje të reja kanë dalë nga dosja lidhur me dëshminë e tij paraprake. Frroku raportohet se ka deklaruar se është kontaktuar nga kisha Françeskane për të bërë rrethimin e sipërfaqes së pronës prej 5,4 dynymësh.
“Jam kontaktuar nga kisha për të bërë rrethimin e tokës. Në momentet që po punonim jemi sulmuar nga një grup fshatarësh, të cilët na thanë që të ndërpresim punimet se toka është e jona. Ka ardhur policia e na ka ndarë e më pas na ka ndaluar. Nuk di të ketë qëlluar njeri me armë” ka thënë Frroku duke mbrojtur shoferin e tij në kërkim, që dyshohet se qëlloi me armë, pasi në vendin e ngjarjes u gjet një gëzhojë.
Anëtarët e familjes Kaçuli mësohet se kanë thënë se “shkuam për të mbrojtur pronën tonë sepse e kemi me letra sipas ligjit “7501”. Aty jemi penguar nga njerëzit e kishës dhe jeni përleshur me ta. Njëri prej tyre ka qëlluar me pistoletë në ajër por nuk kemi mundur që ta identifikojmë se cili ishte”.
Dy palët, kisha dhe banorët e zonës pretendojnë pronësinë mbi tokën. Nuk ka dyshim se kemi të bëjmë me një mbivendosje, por kush ka bërë falsifikim? Prokuroria ende nuk ka një përgjigje.